Gazeta Dielli, organ zyrtar i ‘Vatrës’ në SHBA, ka shprehur solidaritetin e saj të plotë me gazetarët e Televizionit News24, pas ndërhyrjes së paprecedent të Policisë së Shtetit më 9 gusht 2025, kur godina e televizionit u rrethua dhe sinjali i transmetimit u ndërpre me forcë.
Në një artikull të botuar nga Dielli, kryeredaktori Rafael Floqi e përshkruan ngjarjen si “rrethim dhe heshtje e detyruar” dhe paralajmëron për rrezikun serioz që veprimet e institucioneve shtetërore përbëjnë për gazetarët dhe burimet e tyre konfidenciale.
Sipas Floqit, ndërhyrja synon censurën dhe mbylljen e zërit kritik të News24, duke cenuar drejtpërdrejt lirinë e shtypit dhe të drejtën e qytetarëve për informacion.
Ai thekson se ndërhyrja nuk ka të bëjë me zbatimin e ligjit apo marrëdhënie kontraktuale, por është një akt politik që synon shuarjen e zërit të mediave kritike. Floqi kujton kontradiktat ligjore lidhur me pronësinë e ndërtesës së News24 dhe procedurat e përdorura nga shoqëria “KAYO” dhe Policisë së Shtetit, duke e cilësuar veprimin si një precedent të rrezikshëm për demokracinë shqiptare.
Kryeredaktori i Diellit nënvizon se solidariteti me gazetarët dhe respektimi i lirisë së shtypit janë të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të demokracisë:
“Media nuk është dekor i demokracisë; ajo është shtylla që e mban atë në këmbë. Pa liri të shtypit, qytetarët humbasin fuqinë për të kontrolluar pushtetin. Nëse sot pranohet që një televizioni t’i shuhet zëri për arsye politike, atëherë nesër mund të pranohet që edhe qytetarit t’i mbyllet goja për çdo kritikë.”