Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pas angazhimit të forcave të emergjencave civile, situata nga zjarret është stabilizuar në shumë prej zonave problematike të ditëve të fundit.
Aktualisht, në të gjithë vendin raportohen 23 vatra aktive, ku po vijon puna për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Ndër zonat ku po zhvillohen operacione janë:
Syri i Kaltër (Delvinë) – Në Malin e Sopotit vijon puna intensive me 67 zjarrfikës, 80 efektivë të Forcave të Armatosura, 30 forca bashkiake dhe 30 forca mbështetëse. Në operacion ndihmon edhe avioni italian Canadair.
Pecë, Sirikat, Kardhikaq (Finiq) – Zjarr në shkurre dhe pyje, nën vëzhgim.
Mali me Gropa, Val (Bulqizë) – Dy vatra në zonë të mbrojtur, në monitorim nga AdZM dhe vullnetarë.
Tërnovë (Bulqizë) – Zjarr në pyje të dendura, me mbështetje nga një helikopter.
Zhapokikë, Plashnik, Rezervati Balloll (Poliçan) – Zjarr me përhapje të shpejtë; dje u evakuuan 20 banorë. Në operacion janë zjarrfikës, punonjës të AdZM, FA dhe tre helikopterë (2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 1 nga Çekia).
Velçan (Berat) – Falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri, u shmang rreziku për banesat; do të vijojë operimi deri në shuarje të plotë.
Zona të tjera nën kontroll ose monitorim përfshijnë: Orizaj (Skrapar), Vokopolë dhe Mbrakull (Poliçan), Ibë, Damjan-Fortuzaj, Isufaj, Ferraj dhe Zall-Herr (Tiranë), Spanesh, Kazie (Rrogozhinë), Dhuvjan, Lugar, Frashtan (Dropull), Hormovë (Tepelenë), Kullollas, Kodovjat, Ermenj dhe Mukaj, Sojnik (Gramsh), Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit (Fushë Arrëz), Gërmenj (Kolonjë) dhe Velës (Mirditë).
Ministria thekson se falë koordinimit mes forcave zjarrfikëse, ushtrisë, strukturave bashkiake, AdZM-së dhe ndihmës ndërkombëtare, rreziku për banesat është shmangur në shumicën e rasteve. Megjithatë, operacionet vijojnë për neutralizimin e plotë të vatrave aktive.