Autori i emisionit investigativ Vetting në News24, Ardian Bushi, ka reaguar ashpër për sulmin ndaj ambientit të televizionit, duke e cilësuar ndërhyrjen e forcave shtetërore si arbitrare dhe banditeske.
Bushi tha se gjatë tentativës për të hyrë në ambientet e uzurpuara nga autoritetet, ai u përball me një situatë të tmerrshme: “Jam gjendur përballë një masakre, ku forcat ushtarake kanë shqyer dyert e ambientit, kanë marrë tavolinat, karriget, kanë ndërhyrë në kompjutera dhe kanë grabitur dosjet e emisionit Vetting. Dera është shqyer me levë. Nuk është zbatuar ligji, por janë marrë urdhrat e KAYO-s për të vepruar ndaj gazetarëve,” tha ai.
Ai shtoi se pjesa më e madhe e dosjeve historike të emisionit është zhdukur, ndërsa theksoi dyshimin e tij se dosjet e reja të emisionit Vetting kanë qenë qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, në mënyrë të kundraligjshme dhe banditeske.
“Është për të ardhur keq që pjesën dërrmuese të dosjeve që kemi denoncuar janë zhdukur, por dosjet e reja që ishin për të vijuar në shtator e në vazhdim, me zv/kryeministren Balluku që kishte dosjet kryesore. Kjo më bën të dyshoj dhe të theksoj se ky ka qenë qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, në mënyrë të kundraligjshme dhe banditeske. Nuk kam arritur ta perceptoj se si godina të rrethohet nga policia, të vijë dhe ushtria dhe civilë të plackisin zyrat e gazetarëve. “, tha ai.
Bushi e përshkroi situatën si të papranueshme dhe të pabesueshme, duke theksuar se një ambient mediatik ishte rrethuar nga policia dhe ushtria, ndërsa zyrat e gazetarëve u plaçkitën.
“Ne sot jemi më të bashkuar dhe të vendosur për të vijuar luftën tonë me ata që urdhëruan grabitjen dhe vjedhjen. Nuk jam unë që përfaqësoj Vetting-un, por besoj se do të jemi një zë më i fuqishëm,” tha Bushi, duke shtuar se mungesa e ndërhyrjes nga SPAK dhe policia është shqetësuese.
Ai përfundoi duke e cilësuar situatën si një “grusht shteti”: “Kemi një vendim gjykate ku gazetarët duhet të hynin në godinë, por përmbarimi dhe policia nuk zbatojnë ligjin. Kjo është një ndërhyrje direkte që pengon funksionimin e medias dhe lirinë e shtypit.”