Avokati Marash Logu, i ftuar në studion e improvizuar të News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me pengimin që po i bëhet gazetarëve të këtij mediumi nga kompania KAYO.
Sipas Logut, përfaqësuesit e KAYO kanë deklaruar në gjykatë se nuk kanë penguar gazetarët të marrin sendet personale nga ambientet e punës, por pamjet që janë publikuar këto ditë tregojnë qartë se kjo deklaratë është e rreme, duke përbërë një vepër penale.
Kallëzimi penal ndaj KAYO dhe përmbarimit shtetëror
Logu theksoi se, në këto kushte, News24 ka të drejtën ligjore të bëjë kallëzim penal kundër kompanisë KAYO dhe përmbarimit shtetëror, të cilët po pengojnë zbatimin e vendimit të gjykatës. Sipas tij, ky veprim është një shkelje e hapur e ligjit dhe abuzim me detyrën nga ana e autoriteteve përgjegjëse, të cilët po i mohojnë gazetarëve të drejtën për të hyrë në ambientet e punës, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës.
Marash Logu: Situatë e paligjshme qoftë nga policia ushtarake dhe ajo e shtetit që po pengohen gazetarët të futen në ambientet e punës por jua kalojnë sipër portës, një pamje absurd qesharake dhe e paprecedentë.
Sjellja e përmbaruesit shtetërorë nuk po bën zbatimin e vendimit të gjykatës ashtu si ka thënë gjykata, por ndoshta si është urdhëruar të veprojë, në kundërshtim me ligjin.
Vendimi thotë se gazetarëve iu duhej lënë kohë që ata të merrnin sendet e punës në mënyrë të qetë, dhe jo si po shohim prej disa orësh, që po marrin materialet e punës.
Kështu që unë kam një thirrje dhe për përmbaruesin shtetëror që po bën ekzekutimin e këtij vendimi, që ta ndërpresë këtë akt.
Në mënyrë flagrante po shkelet ligji, ato që janë baza e ligjit, vendimet e gjykatave. Gjykata e Tiranës ka vendosur lirinë e medias, të drejtën e tyre për të informuar dhe ruajtur konfidencialitetin, kjo është arsyeja, do të duhej që gazetarëve në kushte normale të viheshin në dispozicion të tyre të gjitha mjetet e punës dhe burimet që përmbaruesi shtetëror ka patur detyrën ti inventarizojë, të kujdeset për sigurinë e tyre që të jenë të pacënuara. Shoqëria KAYO Sh.A kanë deklaruar para gjykatës që ne nuk kemi penguar aksesin e gazetarëve dhe nuk kemi prekur asnjë document dhe pajijse të tyre. Nëse ata kanë bërë deklarim të rremë, është vepër penale, do të duhet që policia gjyqësore të vepronte për këtë situatë.