Një tjetër person me rrezikshmëri të lartë shoqërore është arrestuar në aeroportin e Rinasit, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë Kufitare, Interpol Tiranës dhe partnerëve europianë.
Në pranga ka rënë 20-vjeçari A. K., shtetas belg, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Malta, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Magjistratëve në Maltë.
Sipas njoftimit zyrtar, ai akuzohet për disa vepra penale të rënda:
• Plagosje e rëndë me dashje
• Komplot për kryerjen e një vepre penale
• Vjedhje
• Prodhim, shpërndarje dhe posedim të materialeve pornografike me të mitur
• Shkelje të kushteve të lirimit me kusht
Arrestimi është bërë i mundur falë kontrolleve të përforcuara në pikat kufitare, përdorimit të pajisjeve dedektuese moderne, analizës së riskut dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet ndërkombëtare.
Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e të riut drejt Maltës, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura.
Njoftimi:
Rinas/ Vijon bashkëpunimi i pandërprerë ndërmjet Policisë Kufitare, ZQK Interpol Tiranës dhe partnerëve europianë.
Si rezultat, një tjetër person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u vu në pranga nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin, një shtetas belg, i kërkuar ndërkombëtarisht, për disa vepra penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i kontrolleve të shtuara me pajisjet bashkëkohore dedektuese, analizës së riskut, intervistimit të thelluar, verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasin belg të kërkuar ndërkombëtarisht, A. K., 20 vjeç, banues në Belgjikë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Malta, pasi Gjykata e Magjistratëve Maltë ka nxjerrë urdhër arresti për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Komploti për kryerjen e një vepre penale”, “Vjedhja”, “Posedimi ,shpërndarje ose prodhimi i materialeve pornografike që përfshijnë të mitur” dhe “Mosrespektimi i kushteve të vendosura nga Gjykata për lirimin me kusht”, parashikuar nga legjislacioni penal i Maltës.
Interpol Tirana do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Maltës.