Pas një nate dramatike për shkak të flakëve që kërcënuan qytetin, Delvina është zgjuar sot nën pasojat e njërit prej zjarreve më të mëdha të viteve të fundit.
Zjarri përfshiu zonën kodrinore pranë qytetit, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të vështirë. Qytetarët e alarmuar kaluan natën jashtë, ndërsa dhjetëra shtëpi rrezikuan të digjeshin.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan forcat zjarrfikëse të bashkive të jugut, trupa të specializuara nga Tirana, ushtria si dhe vetë banorët.
Falë ndërhyrjes së tyre, u arrit të shmangej përhapja e zjarrit drejt zonave të banuara, megjithatë vatrat mbeten ende aktive në malësinë pranë fshatit Kakodhiq – zona ku besohet se nisi gjithçka.
Si pasojë e tymit të dendur dhe rrezikut nga flakët, rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës, mes tyre edhe katër ushtarakë. Të gjithë u trajtuan në ambientet e Kinoteatrit të qytetit, që u kthye në qendër emergjente.
Ndërkohë, situata në qytet është aktualisht nën kontroll, por autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të rrezikut që flakët të riaktivizohen.
Punonjësit zjarrfikës dhe ushtria vijojnë operacionin në terren për të izoluar plotësisht vatrat në zonën malore.