Mbyllja e sinjalit të News24 dhe zaptimi i godinave ku operon ky TV dhe mediat e tjera të këtij grupi ka marrë vëmendjen edhe te mediave gjermane, si Deutsche Welle (DW).
DW shkruan se televizioni privat News 24 u ndalua papritmas gjatë një operacioni policor, një ngjarje që gazetarët e cilësuan si një sulm ndaj lirisë së shtypit. Po ashtu media gjermane raporton se ambientet ku funksiononte televizioni janë destinuar për një projekt të industrisë së mbrojtjes.
Slogani “Demokracia vdes në errësirë” u bë simbol i protestës së gazetarëve, politikanëve dhe aktivistëve përpara selisë së News24 të hënën pasdite.
Transmetimi i lajmeve 24-orëshe u ndërpre në orën 07:36 të së shtunës, kur në vend të sinjalit të televizionit u shfaqën shirita ngjyrash vertikalë në ekranet në të gjithë Shqipërinë.
Policia, në bazë të një vendimi të fundit gjyqësor, rrethoi ndërtesën e ish-Fabrikës së Auto-Traktorëve në periferi të Tiranës, ku ndodhen ambientet e News 24, dhe urdhëroi stafin të largohej menjëherë.
‘Një goditje ndaj lirisë së shprehjes’
Anila Jole, drejtoreshë e News24 dhe pjesë e grupit mediatik që ka punuar aty që prej vitit 2002, e konsideroi këtë veprim si “arbitrar” dhe pa paralajmërim të mëparshëm.
“Liria e shtypit është themeli i një shoqërie demokratike, dhe kur ajo cënohet, rrezikohet vetë demokracia,” tha Jole për DW.
Focus Media Group, pronari i News 24 dhe mediave të tjera si BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, punëson rreth 230 persona dhe e cilëson këtë ndërhyrje si “goditje ndaj lirisë së shprehjes” në një vend kandidat për në BE.
Nga transmetimi lajmeve në fabrikë mbrojtjeje
Ish-Fabrika e Auto-Traktorëve, e ndërtuar në 1976, ishte dikur ndërmarrja më e madhe mekanike në Shqipërinë komuniste. Tani, ajo do të transformohet në një qendër të industrisë së mbrojtjes, ku do të prodhohen uniforma dhe pajisje për Forcat e Armatosura.
Projekti menaxhohet nga KAYO, një kompani shtetërore e themeluar në 2024 për të ringjallur industrinë ushtarake shqiptare.
Kryeministri Edi Rama e përshëndeti këtë plan si një “zhvillim pozitiv për Forcat e Armatosura, ekonominë kombëtare dhe komunitetin lokal”.
Reagime dhe akuza për shkelje të lirive
Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë dënoi ndërhyrjen e policisë si “shkelje flagrante e parimeve demokratike dhe të lirive të shprehjes”.
Rrjeti SafeJournalists Albania reagoi duke thënë se bllokimi i aksesit në redaksi kërcënon lirinë dhe pavarësinë e medias.
Kryetari i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha e quajti ndërhyrjen “sulëm politik” dhe “një sulm të rëndë ndaj lirisë së fjalës” me qëllim heshtjen e zërave kritikë.
Qeveria mbështet operacionin policor
Zyra e Avokatit të Shtetit tha se marrëveshja e qirasë për ambientet e ish-Fabrikës së Auto-Traktorëve kishte skaduar në 2022 dhe se Ministria e Financave kishte vendosur si afat për lirimin e tyre datën 25 korrik 2022, por kompania nuk kishte liruar vullnetarisht pronën.
Çështja ka kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhe më 14 korrik 2025 Gjykata Administrative e Apelit vendosi lirimin e menjëhershëm të ambienteve.
Por Focus Media News mohon këtë dhe pretendon se ambientet janë pronë e tyre dhe kanë dokumentacionin përkatës.
Drejtoresha e News 24, Anila Jole, shprehu shpresën që gjykata të marrë një vendim të drejtë dhe të ndalojë ndërhyrjen, duke i dhënë kohë stacionit për zhvendosje.
Shqipëria synon të fuqizojë industrinë ushtarake
Në prill, KAYO nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me ndërtuesin italian të anijeve “Fincantieri” dhe me kompaninë izraelite të teknologjisë ushtarake Elbit Systems për rindërtimin e Shkollës së Aviacionit në Vlorë.
KAYO po kërkon gjithashtu partnerë privatë për projekte të përbashkëta në prodhimin e armëve dhe municioneve, me një investim prej rreth 60 milionë eurosh dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Më 16 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi një marrëveshje strategjike me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit për forcimin e kapaciteteve ushtarake shqiptare dhe bashkëpunimin dypalësh.
Projekte të përbashkëta parashikojnë prodhimin e dronëve, armëve të lehta dhe artilerisë në Shqipëri.
Qeveria e sheh këtë iniciativë si një mënyrë për të forcuar mbrojtjen kombëtare, për të tërhequr investime të huaja dhe për të pozicionuar Shqipërinë si një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes.