Zjarret që kanë përfshirë zonat rurale të Gramshit kanë marrë përmasa të mëdha, duke shkaktuar pasoja tragjike në njerëz dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Burime zyrtare konfirmojnë se një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë djegur nga flakët dhe ndodhen në gjendje të rëndë.
Raportohet se ata kanë pësuar djegie gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesat dhe bagëtitë.
Situata në terren raportohet se është jashtëzakonisht e vështirë. Zjarret, të përhapura në disa fshatra, vijojnë të jenë aktive dhe jashtë kontrollit, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe të emergjencës e kanë të pamundur të ndërhyjnë në të gjitha vatrat për shkak të tymit të dendur si edhe flakëve që përparojnë me shpejtësi.
Evakuimet vijojnë në fshatra si Skënderbegas, Kullollas, Bletëz, Mukaj, Kukur dhe Sojnik, ndërkohë që shumë banorë, të kapluar nga paniku dhe dëshpërimi, refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre, edhe pse ndodhen në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Kryetarët e njësive administrative dhe autoritetet vendore kanë bërë thirrje për ndihmë të menjëhershme dhe mobilizim të burimeve shtesë nga qeveria dhe strukturat qendrore për të shmangur thellimin e tragjedisë.
Njoftimi i policisë:
Gramsh/Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit.