Nga Ardian Bushi Autori i emisionit Vetting
Një mëngjes ndryshe
Sot, për herë të parë në jetën time profesionale, shkova në punë pa asnjë mjet pune. As stilolaps. As çantë. As bllok. As tavolinën ku kisha kaluar net të tëra pune. As karrigen, kompjuterin, dosjet, kamerat e gjithçka që më duhej për të bërë gazetari u zhduk në një ditë.
Por një gjë nuk mundën të ma grabisin: forcën për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve që kanë humbur shpresën, betimin tim për të vazhduar për të luftuar e për të denocuar ata që po “vrasin” gazetarët, që na vjedhin e po shkatërrojn këtë vënd. Këtë forcë e kam sot më shumë se kurrë.
Sulmi ndaj medias nuk është vetëm sulm ndaj gazetarëve
Dje, në sy të gjithë Shqipërisë, ndodhi ajo që në çdo vend normal do të quhej grabitje shtetërore.
230 persona u flakën në rrugë, zyrat u shkatërruan, materialet sensitive të gazetarëve u grabitën, kompjuterë dhe dokumente u morën me forcë. Ata që e urdhëruan këtë akt të njëjtët që kanë vjedhur miliona nga ky vend duan të zhdukin gjurmët e korrupsionit të tyre.
“Ata nuk goditën vetëm një redaksi. Ata tentuan të vrasin të drejtën e qytetarëve për të ditur.”
SPAK, me heshtjen dhe mosveprimin e tij, sot duket më shumë si mburojë për këta individë sesa si institucion që duhet t’i hetojë. Një shtet që po shembet si muret e një godine. Pashë me sytë e mi sesi shembej një pjesë e ndërtesës së News24 me një urdhër verbal.
Por ajo që po shembet realisht është besimi tek shteti. Një shtet ku institucionet nuk luftojnë për drejtësi, por garojnë kush ka më shumë pushtet për të grabitur. Ky është një shtet që miraton ligje jo për të mbrojtur qytetarët, por për t’i shtypur ata. Ligje që i kërkon qytetarit t’i respektojë, por që pushtetarët i shkelin pa asnjë pasojë.
Ne nuk do të ndalemi
Ata mund të kenë marrë kompjuterët tanë, dosjet, kamerat, por nuk mund të na marrin misionin. Ne do të vazhdojmë të mbledhim fakte, të dokumentojmë, të nxjerrim në dritë provat që ata duan t’i fshehin. Jam i bindur si kurrë më këta hajdutë dhe kriminelë të fjalës dhe parave publike nuk do të jenë të qetë. Koha do ta tregojë këtë. Ne do të ringrihemi. Sepse ne jemi zëri i qytetarëve, dhe zëri i qytetarëve nuk shuhet me dhunë.
Heshtja është bashkëfajësi