Nga Erl Murati
Imagjinoni për një çast një situatë hipotetike: një media e madhe ndërkombëtare, fjala vjen RAI apo BBC ka një konflikt pronësor me një ent publik, mbi tokën ku janë vendosur disa antena transmetimi.
Imagjinoni sikur befas, një ditë policia italiane apo britanike, me sharra elektrike në duar, të sharrojnë antenat e transmetimit duke fikur përfundimisht sinjalin e RAI-t apo të BBC-së, duke pretenduar mungesë pronësie mbi truallin ku janë vendosur këto antena.
E mora këtë shembull analogjik, për të shpjeguar në termat e standardit europian, operacionin alogjik që po ndodh mbi trupin e News 24, Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Nuk ndodh në asnjë vend të botës së zhvilluar, që një konflikt administrativ mes medias dhe një aktori tjetër publik, (pavarësisht cila palë ka administrativisht të drejtë) të shkaktojë në mënyrë automatike mbylljen e medias, fikjen e sinjalit të një televizioni me përmasa mbarëkombëtare, bastisjen e zyrave dhe pengimin e gazetarëve për të aksesuar materialet e tyre të punës.
Aq më pak ndodh, që kompjuterat e punës të ngarkohen mbi kamiona ushtrie, njësoj siç ngarkoheshin dikur shkujdesur, plaçkat e të internuarve mbi IFA, nën vështrimet e frikësuara të lagjes ku banonte “armiku” politik i sistemit të atëhershëm.
Asokohe i internuari nuk e dinte ku po e degdisnin, dhe paradoksalisht, as ne nuk e dimë sot në ç’magazina janë internuar kompjuterat, mikrofonët, skedarët, dosjet dhe mjetet e tjera të punës së News 24.
Nuk i imagjinoj dot Jane Corbin, Nick Robinson, Paolo Capelli apo Giorgio Mottola me mikrofonë në duar duke debatuar me policë civilë dhe ushtarakë në dyert e mediave të tyre, njësoj siç bëri sonte i paepuri Osman Stafa, tek thjesht kërkonte të dinte ku po internohej puna dhe historia e News 24.
Thonë që çdo krahasim çalon, por jo më kot insistova në këtë linjë.
Ndoshta i vlen dikujt që nuk flet shqip, por është i detyruar t’u raportojë dhe t’u shpjegojë eprorëve në Bruksel apo kudo në Europë, atë që po ndodh realisht në betejën epike mes “Kajove” dhe disa reporterëve në dyert e televizionit informativ kryesor në Shqipëri.
Analogjitë janë për të thjeshtësuar kuptimin e situatës.
Mesa duket, në këtë teatër absurd, shumëkush e ka të vështirë të thotë qoftë edhe një fjalë, – larg qoftë – jo mbështetëse, por të paktën ngushëlluese.
“Po ndjekim me vëmendje situatën”, do ishte e mirëpritur me entuziasëm.
Në pamundësi, edhe një “natën e mirë” do na kënaqte sadopak. Fundja, më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund.