Unioni i gazetarëve shqiptarë ka reaguar me shqetësim ndaj dhunës shtetërore në ambientet e News 24.
Tashmë ushtria dhe policia po vijojnë me sekuestrimin e pajisjeve të punës së gazetarëve në redaksi, teksa aty ndodhen dhe persona të panjohur civilë. UGSH bën thirrej që institucionet shtetërore të ndalin cenimin e punës së gazetarëve.
Reagimi:
Jeta e gazetarëve në rrezik, persona të paidentifikuar marrin sendet personale të gazetarëve.
Tiranë, më 11.08.2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë dhe urgjent pas informacioneve të marra nga kolegët e Televizionit Neës24 dhe grupit mediatik Panorama, se persona të paidentifikuar dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, të shoqëruar nga mjete ushtarake, kanë hyrë në ambientet e redaksisë duke sekuestruar pajisje pune, kompjuterë dhe të dhëna të gazetarëve.
Sipas kolegëve në terren, në këto pajisje ndodhen materiale dhe investigime mbi korrupsionin, të cilat jo vetëm përbëjnë prova të mundshme në shërbim të transparencës publike, por gjithashtu rrezikojnë seriozisht jetën e gazetarëve dhe burimeve konfidenciale që i kanë siguruar ato.
UGSH kërkon nga institucionet shtetërore të ndalojnë menjëherë çdo veprim që cenon punën e gazetarëve, të garantojnë ruajtjen e integritetit të të dhënave dhe të respektojnë standardet e sigurisë dhe lirisë së medias, si një shtyllë themelore e demokracisë.
Ne ndjekim me vëmendje të veçantë zhvillimet e kësaj përplasjeje dhe mbetemi në alert të plotë për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe të pandërprerjes së transmetimit të këtij kanali informues të rëndësishëm për hapësirën kombëtare.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.