Një nga ngarkesat më të mëdha të kokainës të kapura ndonjëherë në Evropë rezulton e lidhur drejtpërdrejt me grupin kriminal shqiptar të goditur së fundmi nga SPAK, të drejtuar nga Elvis Çela dhe Franc Çopja.
Sipas hetimeve, në periudhën dhjetor 2020 – shkurt 2021, Elvis Çela dhe bashkëpunëtori i tij F.G. organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 tonëve kokainë nga Paraguaji drejt Gjermanisë.
Lënda narkotike, me vlerë tregu nga 1.5 deri në 3.5 miliardë euro, ishte fshehur brenda bombolave metalike me bojë dhe kollë ndërtimi. Për të shmangur zbulimin, mbi bombola ishin vendosur logo të ndryshme, si një sy me rrufe të kuqe, logon e Puma-s dhe simbolin e infinitit.
Ngarkesa ishte shpërndarë në disa kontejnerë që mbërritën në portin e Hamburgut më 12 shkurt 2021. Autoritetet doganore gjermane, falë një operacioni të koordinuar, arritën ta sekuestrojnë të gjithë sasinë përpara se të hynte në tregun europian të drogës.