Pedagogu dhe Shefi i Departamentit të Teknologjisë dhe Inovacionit në Universitetin Luarasi, Gentian Hoxhalli, ishte i ftuar në podcastin Wecome@Luarasi në News24, ku foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike, si dhe për programin e ri akademik të universitetit në fushën e Data Science dhe Business Analytics.
Programi, i zhvilluar në bashkëpunim dhe nën drejtimin akademik të London School of Economics (LSE), ofron një kurrikulë moderne dhe rigoroze që synon të përgatisë studentët për tregun global të punës në fushën e përpunimit të të dhënave, inteligjencës artificiale dhe analizave statistikore.
Hoxhalli theksoi se programi është shumë kërkuar nga maturantët, të cilët duhet të plotësojnë standarde të larta në lëndët si matematika dhe gjuha angleze. Ai përshkroi këtë program si një ndër pak programet në Europë që kombinon matematikën, statistikat e aplikuara dhe programimin në mënyrë që studentët të bëhen ekspertë në menaxhimin dhe analizën e të dhënave, një sektor në rritje dhe me kërkesë të madhe në nivel global.
“Data Science është një nga dhjetë trendet kryesore të punës në botë, sipas Eurostat,” tha Hoxhalli, duke shtuar se ky program i jep Universitetit Luarasi mundësinë për të ofruar një arsim të nivelit ndërkombëtar dhe për të hapur dritare të reja punësimi jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar.
Në vazhdimësi, Universiteti Luarasi ka përditësuar kurrikulat e programeve të tij në Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit dhe Informatikën Ekonomike, duke futur lëndë të avancuara si bazat e inteligjencës artificiale, programim në Python dhe statistika e avancuar, për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
Hoxhalli theksoi se qëllimi i universitetit është të zhvillojë programet akademike në linjë me evolucionin e tregut dhe të sigurojë performancë të lartë për studentët dhe stafin akademik.
Ky përkushtim për inovacion dhe cilësi i bën programet e Universitetit Luarasi një zgjedhje të dëshirueshme për të rinjtë që synojnë një karrierë të suksesshme në fushat më premtuese të teknologjisë dhe analizës së të dhënave.