Pas shumë vitesh pritjeje dhe paqartësish, më në fund është krijuar një mundësi për mijëra qytetarë që kanë punuar gjatë periudhës komuniste, por që nuk kanë mundur të përfitojnë të drejtën për pension.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur zbatimin e ligjit të ri 7/2025, në të cilin vitet e punës të kryera përpara vitit 1991 do të njihen automatikisht si periudha sigurimi, pa qenë nevoja që qytetarët të përballen me gjykata, padi apo pengesa burokratike që kanë rënduar shpesh mbi ta. Ky ndryshim prek drejtpërdrejt mijëra qytetarë që kanë kontribuar në ekonominë shtetërore, në kooperativat bujqësore apo në ndërmarrjet socialiste të asaj kohe, por që për shkak të mungesës së dokumentacionit ose procedurave të vështira, kanë mbetur jashtë skemës së drejtë të përfitimit të pensionit.
APLIKIMI
Për herë të parë, aplikimi për këtë njohje mund të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë pranë zyrës së Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit, ku çdo qytetar ndihmohet për të plotësuar kërkesën dhe për të dorëzuar një set të thjeshtuar dokumentesh.
FORMULARI
Formulari i aplikimit plotësohet në zyrë, me ndihmën e specialistit të ISSH-së dhe përfshin të dhënat personale të aplikuesit, si dhe një deklaratë të vetëdijshme që ai ose ajo nuk ka qenë i dënuar me vendim gjykate gjatë periudhës së pretenduar të punës.
Ajo që ka rëndësi thelbësore në këtë proces është vendbanimi që qytetari ka pasur gjatë viteve të punës përkatëse – nëse ka banuar në një fshat, mund të përfitojë njohjen e punës në kooperativë; nëse ka jetuar në qytet, përfiton për vitet e punës në ndërmarrjet shtetërore.
Ky informacion verifikohet përmes regjistrave të gjendjes civile dhe nuk është më detyrë e qytetarit të provojë çdo detaj me dokumente të pamundura për t’u siguruar pas kaq shumë vitesh. Për ata që kanë një pjesë të librezës së punës ose ndonjë vërtetim të mbetur nga ndërmarrjet e vjetra, këto shërbejnë si mbështetje, por nuk janë më të domosdoshme për të përfituar.
Madje, edhe në mungesë të tyre, institucionet e sigurimeve i kryejnë vetë kërkimet dhe verifikimet në arkiva apo në bashki. Çdo element i mbetur pezull deri më tani, çdo pengesë ligjore që kërkonte avokat ose gjykatë, tashmë është zëvendësuar me një procedurë të thjeshtuar dhe të aksesueshme për të gjithë. Kjo nismë është një hap i vonuar, por i nevojshëm drejt barazisë dhe vlerësimit të kontributit të atyre që e mbajtën ekonominë në këmbë në dekada të vështira.
Tashmë, pensioni nuk është më privilegj i atyre që kanë ruajtur letra, por e drejtë e atyre që kanë punuar vërtetë. Për shumë qytetarë që sot jetojnë me pension minimal ose aspak, kjo është një dritare e re shprese.
DOKUMENTET QË DUHEN
1. Dokument identifikimi: Kartë identiteti ose pasa- DORËZUAR portë e vlefshme.
2. Vërtetim i vendbanimit historik: Ky dokument merret në zyrën e gjendjes civile dhe tregon që gjatë viteve përkatëse (psh., 1975-1990) keni banuar në një fshat (nëse keni punuar në kooperativë) ose qytet (nëse keni punuar në ndërmarrje shtetërore). Nëse nuk gjendet vërtetim i asaj kohe, mund të përdoret edhe një deklaratë noteriale nga të afërm ose dëshmitarë.
3. Libreza e punës ose vërtetime pune (nëse ekzistojnë): Edhe nëse keni vetëm pjesë të fragmentuara të saj. Në mungesë, ISSH e verifikon vetë, bazuar në të dhënat nga ish-Ndërmarrjet Shtetërore, Komunat ose Arkivat.
4. Deklaratë personale që nuk jeni dënuar me vendim gjykate: Kjo deklaratë bëhet me shkrim në zyrën e ISSH, bashkë me formularin.
5. Në raste të caktuara, vërtetim që aplikimi është në proces gjyqësor ose administrativ (nëse po kërkoni rishikim të vendimit të mëparshëm).
SHEMBULL
Një zonjë, e lindur në vitin 1953, ka punuar në kooperativën bujqësore të Beratit nga viti 1971 deri më 1989. Ajo kishte vetëm një vërtetim pune të pjesshëm, por s’mund të merrte pension të plotë. Sot, me ligjin e ri, ajo aplikon te ISSH me: kartë identiteti, vërtetim nga gjendja civile që banonte në fshat në vitet 1971– 1989, deklaratë që nuk ka qenë e dënuar dhe vërtetim pune që ekziston pjesërisht. Brenda 45 ditëve, ajo përfiton njohjen e 18 viteve si periudhë sigurimi dhe një shtesë në pension.
PROCEDURA E THJESHTËZUAR
-Nuk ka asnjë tarifë aplikimi, është falas.
-Kohëzgjatja e shqyrtimit: 30–60 ditë zakonisht, në varësi të verifikimeve.
-Nëse kërkesa pranohet, pensioni përllogaritet nga data e dorëzimit të aplikimit.
-Nuk nevojitet gjyq, edhe nëse më parë është kërkuar me padi.
/Gazeta Panorama