Policia ka arrestuar një nga bashkëpunëtorët e dyshuar të autorit të plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit Juglen Abazi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 2 gushtit në rrugën “Thoma Filipeu”, në zonën e Freskut, Tiranë.
Në pranga ka rënë 26-vjeçari Andi Gurra, i cili ishte shpallur në kërkim. Sipas njoftimit zyrtar, ai dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar të ngjarjes, 26-vjeçarin Klejvis Caka (Lusha), banues në Tiranë, i cili vijon të jetë ende në kërkim.
“Në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 02.08.2025, në zonën e Freskut, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi J. A., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës arrestuan në flagrancë shtetasin në kërkim A. G., 26 vjeç, si bashkëpunëtor i K. C. (L.), autor i dyshuar i ngjarjes,” – thuhet në deklaratën e policisë.
Ndaj Klejvis Cakës rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, më 3 gusht, policia njoftoi arrestimin në flagrancë edhe të 27-vjeçarit Xhonatan Qerimi, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas hetimeve, dyshohet se Xhonatan Qerimi dhe Andi Gurra kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja.
Policia vijon punën për kapjen e Klejvis Cakës dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.