Një nga autorët e dyshuar të ekzekutimit të Renato Hoxhajt është vënë në pranga nga policia. I arrestuari është Kleanth Bylyku, 42 vjeç, i njohur edhe me identitetin Armando Gega, banues në Vlorë.
Ai dyshohet si bashkëautor në vrasjen me paramendim, kryer në bashkëpunim, të Hoxhajt, ngjarje që ndodhi mëngjesin e 27 prillit 2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës.
Operacioni policor i koduar “Në gjurmë”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës.
Bylyku/Gega rezulton të jetë pjesëtar i një grupi kriminal aktiv në fushën e krimeve të rënda dhe është i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Me vendimin e Gjykatës së Vlorës më 30 korrik 2025, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar që janë ende në kërkim.