Avokati i Popullit ka hapur një hetim zyrtar për mënyrën si është trajtuar kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, gjatë qëndrimit në paraburgim në Durrës. Objekt i verifikimeve është shoqërimi i tij drejt një klinike private, ku Veliaj iu nënshtrua disa analizave mjekësore, mes dyshimeve për trajtim të veçantë apo favorizime.
Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prenci, ka kontaktuar drejtpërdrejt me Veliajn për të marrë informacion të detajuar mbi kushtet në të cilat mbahet dhe respektimin e të drejtave të tij si person i arrestuar.
Hetimi vjen pas zhurmës publike mbi lehtësirat e supozuara që i janë ofruar Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme, për një sërë akuzash të rënda për korrupsion dhe pastrim parash.
AKUZAT
Kujtojme qe SPAK perfundoi hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i hetuar për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie e shpërdorim detyre, ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa e gjashtë biznesmenëve të proceduar si dhe ndaj personave të tjerë të dyshuar se janë përfshirë në këto afera.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.