Pas përplasjes së fundit me Ilir Metën, i cili e quajti “Zegjine” në një postim në rrjetet sociale, Monika Kryemadhi ka reaguar me tone të ashpra nga jashtë ambienteve të SPAK, ku u paraqit për t’u njohur me akuzat.
“Nuk e di a ka Ilir Meta internet në burg”, u shpreh Kryemadhi, duke shtuar se është e bindur që fjalët e tij i ka transmetuar zëdhënësi dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Tedi Blushi, të cilin e cilësoi si “fans të gardërobës sime”.
“Jam e bindur që këtë mesazh e ka përçuar zëdhënësi i tij politik dhe shpirtëror, ndoshta i udhëzuar edhe nga vjehrri i vet,” tha ajo, duke shtuar me ironi: “Shyqyr Zotit, ua njoh të gjithëve racën dhe prejardhjen.”
Kryemadhi theksoi se marrëdhënia me Metën ka qenë si sentimentale ashtu edhe politike, por se nuk i duket e arsyeshme të hapë jetën private për publikun: “Nuk kam ndërmend të shpalos marrëdhëniet e mia familjare, shoqërore e personale. Kjo është çështje e mbyllur për mua.”
Pjesë nga deklarata:
Pyetje: Në statusin e tij të fundit, Meta ju ka quajtur Zegjine!
Monika Kryemadhi: Nuk e di a e ka parë, a ka internet Ilir Meta atje në burg që të shohë Zegjinenë. Jam e bindur që transmetuesi i kësaj, zëdhënësi i vet politik e shpirtëror, dhe fansi i gardërobës sime, që mund ta ketë udhëzuar vjehrri i vet se ai është. Se shyqyr Zotit ia njoh rracat që të gjithëve, se çfarë rracash kanë, çfarë prejardhjesh kanë dhe çfarë montruozitetesh prodhojnë.
Më vjen keq për gjithë këtë histori që ka ndodhur për shkak të gjithë situatës. Unë kam përgjegjësitë e mia si ish-bashkëshorte dhe nënë e fëmijëve të tij sa i përket gjërave që në njëfarë mënyre, por edhe sot po qe se përsëritet prap nuk e shikoj të arsyeshme ti tregoj Ilir Metës marrëdhëniet e mia familjare, shoqërore e personale.
Kam pasur marrëdhënie sentimentale me të dhe politike, politikisht kam qenë gjithmonë korrekte me të, moralisht kam qenë superkorrekte me të dhe financiarisht kam qenë superkorrekte me të. Nuk kam asnjë detyrim. Meta nuk ka pasur dijeni për asnjë shpenzim timin sepse të gjitha të ardhurat e mia financiare kanë ardhur nga familja ime, asnjë e ardhur financiare, qoftë një qindarkë s’më ka ardhur nga Ilir Meta.