Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar publikisht pas mbylljes së hetimeve nga SPAK, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë apo njoftim zyrtar për paraqitjen e tij këtë të martë. Në një postim në rrjetet sociale, Meta pretendon se është lajmëruar vetëm verbalist nga një gardian në ambientet e vuajtjes së dënimit rreth orës 08:30 të mëngjesit.
“Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në orën 08:30, kur një gardian i IEVP ‘Jordan Misja’ më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi,” shkruan Meta.
Ai thekson se nuk ka mundur të paraqitet, për shkak se avokati i tij, Kujtim Cakrani, ndodhej jashtë shtetit në atë moment, dhe sipas tij, prania e mbrojtësit është procedurialisht e domosdoshme.
“U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar. Do të paraqitemi sapo ai të jetë i disponueshëm,” deklaron Meta.
Ish-presidenti e cilëson të gjithë procesin si një “farsë politike” të urdhëruar nga shumica qeverisëse, duke theksuar se është i gatshëm për përballje në gjykatë pas gjashtë vitesh hetimesh.
“Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste. I gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar do të mësojë të vërtetat e vetme,” shkruan Meta.
Reagimi i plote i Ilir Metes
Për transparencë me opinionin publik dhe në ndihmë të gazetarëve në funksion të mirinformimit
Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.
U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian.
Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.
Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:
ZERO fakte penale!
ZERO prova penale!
ZERO akte dhe vendime të paligjshme!
ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!
ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!
ZERO pasuri të paligjshme!