Radhë kilometrike kamionësh të tonazhit të rëndë janë regjistruar sot në pikën kufitare të Vërmicës, në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Mjetet e rënda, të ngarkuara me mallra, janë të parkuara në dy kolona të gjata, duke pritur për të hyrë në territorin e Kosovës.
Radhët nisin nga fshati Bardhoc dhe shtrihen deri në hyrje të doganës së Vërmicës. Shkak për këtë situatë është masa e ndalimit të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë, e cila ka qenë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:00 çdo ditë, sipas vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës.
Kjo masë u mor për të mbrojtur infrastrukturën rrugore nga dëmet që mund të shkaktohen për shkak të temperaturave ekstremisht të larta gjatë muajit korrik.
Sot ishte dita e fundit të këtij kufizimi, që ishte i vlefshëm për autostradat dhe rrugët rajonale në gjithë territorin e Kosovës, gjatë 15 ditëve të fundit të muajit.