Policia e Vau të Dejës ka arrestuar në flagrancë një 58-vjeçar, i identifikuar si Lodovik Rrethej, banues në fshatin Barbullush, pasi akuzohet se ka ndezur zjarr në varrezat e fshatit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Rrethej ka qenë autor i disa rasteve të zjarrvënies në ditët e fundit në të njëjtin fshat. Ngjarja e fundit ndodhi ditën e djeshme, kur ai dyshohet se ka ndezur zjarr në varrezat e Barbullushit, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me shkurre. Fatmirësisht, flakët nuk kanë prekur varret.
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasin Lodovik Rrethej,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për qytetarët që të mos ndezin zjarre në asnjë rast, pasi do të përballen me ligjin.