Policia e Kavajës ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për vjedhje të shumave parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret.
Të arrestuarit janë Nazim Liçi, 29 vjeç, banues në Elbasan, dhe Gentina Gjyzeli, 46 vjeç, banues në Durrës.
Operacioni u finalizua nga Policia e Kavajës në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, dhe u kodua me emrin “Precedenti”.
Sipas hetimeve dhe pamjeve filmike të siguruara, rezulton se dy shtetasit kanë vepruar në bashkëpunim për të realizuar vjedhjet. Gjatë kontrollit, janë sekuestruar para, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së krimeve.
Nazim Liçi rezulton me precedent të rëndë penal dhe ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan, pasi kishte ikur nga ambientet e policisë në dhjetor 2024, ku mbahej për një tjetër vjedhje me dhunë. Sipas policisë, ditët e fundit ai ishte strehuar në banesën e Gentiana Gjyzelit.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar edhe vjedhje të tjera të mundshme të kryera nga dy të arrestuarit. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.