Pamje të rënda vijnë nga fshati Shetel i Shijakut, ku një zjarr masiv ka përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore dhe bujqësore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pemëtore dhe ullinj.
Sipas banorëve, flakët kanë qenë të fuqishme për shkak të erës dhe terrenit të vështirë. Ata thanë se ndihma e zjarrfikësve ka qenë e menjëhershme, por e vështirësuar nga zona e thellë dhe relievi i thyer. Për të shmangur përhapjen e zjarrit në banesa, edhe vetë banorët janë përfshirë në izolimin e vatrave.
Dëmet janë të mëdha, ndërsa komuniteti lokal kërkon ndërhyrjen e shtetit për të evidentuar pasojat dhe për të ndihmuar fermerët e prekur.
Ndërkohë, Policia e Shijakut ka arrestuar Ibrahim Bibën, banor i zonës, i cili dyshohet si shkaktar i zjarrit. Sipas autoriteteve, ai ka djegur mbeturina në pronën e tij mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe pyjore dhe duke rrezikuar seriozisht banesat pranë.
Njoftimi i policisë:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin Ibrahim Biba, banues në fshatin Shetel, pasi gjatë djegies së mbeturinave në tokën e tij, zjarri i është përhapur në një sipërfaqe të madhe pyjore, duke rrezikuar edhe banesat.”
Policia e Shtetit ka bërë thirrje për kujdes maksimal, duke apeluar qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe hedhjen e cigareve pranë zonave të pyllëzuara, sidomos në këto kushte të rrezikshme zjarresh.
Hetimet për ngjarjen vijojnë.