Një ngjarje e rëndë është shënuar në ambientet e një hoteli në zonën e Skelës, në Vlorë, ku një kamarier është dhunuar nga dy persona, mes të cilëve një ish-efektiv policie dhe një individ me precedentë penalë.
Sipas pamjeve filmike të siguruara nga vendngjarja, konflikti ka nisur për një arsye banale: shërbimi i një shisheje uji më tepër sesa ishte porositur. Personi që shfaqet duke e nisur përplasjen fizike është Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor në Vlorë. Menjëherë pas tij, dhuna përshkallëzohet nga Leart Bino, një individ me të kaluar kriminale, i cili godet disa herë kamarierin në mënyrë të përsëritur dhe të dhunshme.
Punonjësi i shërbimit, në përpjekje për të shmangur pasoja më të rënda, është detyruar të largohet nga ambienti i punës ndërsa dhunuesit vijonin të afroheshin drejt tij.
Ngjarja ka tronditur klientët e pranishëm në lokal, përfshirë edhe turistë të huaj, të cilët janë larguar në panik për shkak të skenave të dhunës së paprovokuar.