Një vatër zjarri me përmasa të mëdha ka përfshirë një masiv kodrinor në zonën e Borshit, duke krijuar një situatë alarmante për banorët dhe pushuesit në këtë zonë turistike të njohur të jugut.
Sipas raportimeve nga terreni, flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, të favorizuara nga era e fortë që fryn prej orësh. Zjarri është afruar drejt zonave të banuara dhe ka rrezikuar disa banesa në periferi të fshatit. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Banorët shprehen të revoltuar për vonesën në ndërhyrje, duke thënë se zjarri kishte nisur që një ditë më parë në përmasa të vogla, por nuk u morën masat e duhura në kohë.
“Zjarri nisi që dje, ishte shumë më i vogël dhe mund të ishte fikur. Tani po i afrohet shtëpive dhe zjarrfikëset nuk kanë nga futen”, shprehen disa banorë të zonës.
Ndërhyrja e zjarrfikësve është bërë tejet e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve kaluese. Autoritetet lokale kanë shtuar forcat në terren dhe po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrjeje ajrore, nëse situata përkeqësohet më tej.
Banorët janë paralajmëruar të qëndrojnë të kujdesshëm, ndërsa në disa raste janë marrë masa paraprake për evakuim të mundshëm.