Një zjarr ka shpërthyer këtë të premte në një pjesë të Parkut Kombëtar të Prespës, duke rrezikuar sipërfaqe me bimësi të dendur dhe ekosistem të mbrojtur.
Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, ka reaguar lidhur me situatën, duke theksuar vështirësitë që po hasen në përpjekjet për ta vënë nën kontroll flakët.
“Zjarri ka rënë në një zonë me bimësi të ulët, por problemi më i madh është mungesa e rrugëve kaluese, çka e bën ndërhyrjen shumë të vështirë. Pavarësisht kësaj, kemi ndërhyrë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Në ndihmë na janë bashkuar edhe zjarrfikëset e Bashkisë Pogradec, përveç atyre të bashkisë sonë”, tha Kolefski.
Sipas tij, në terren janë angazhuar edhe punonjës të shërbimeve dhe të zonës së mbrojtur, që po punojnë për të izoluar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Pali Kolefski, kryetari i Bashkisë Pustec: Që në momentet e para që u lajmërua, ka qënë reagim i shpejtë por moti dhe kjo thatësirë ka favorizuar përhapjen e tij. Zjarri ka zënë në një pjesë ku ka bimësi të ulët dhe ajo çka e vështirëson ndërhyrjen është se nuk ka rrugë kalimi. Ne u munduam me të gjitha mjetet që kemi, qoftë edhe me zjarrfikëse , kemi patur ndihmë edhe nga Bashkia e Pogradecit. Kanë qënë këtu zjarrfikeset e bashkisë tonë, zjarrfikëset e Pogradecit , punonjësit e shërbimeve, zona e mbrojtur . Ne jemi duke bërë një plan ndërhyrjeje për nesër në orët e para të mëngjesit, ky është edhe mendimi i specialistëve që kjo mund të jetë më efikase. Sipërfaqja e djegur është goxha e madhe por nuk mund të them një shifër, terreni është shumë i vështirë, goxha e thepisur, bimësia e dendur nuk e lejon ndërhyrjen. Fillimisht sipas specialistëve , Ministrisë së Brendshme dhe policisë zjarri ka nisur këtu në rrugë, pas nesh. Nuk e di nga pakujdesia ose zjarrvënie e qëllimshme, këtë ngelet ta vërtetojnë ata.