Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen në pyetje të katër zyrtarëve lokalë të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ku gjyqtarja Aurora Tusha shqyrtoi kërkesën e organit të akuzës në kuadër të hetimeve për abuzime me funksionin publik në Bashkinë Fier dhe institucionet tatimore rajonale.
Në përfundim të seancës, Gjykata vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit në shtëpi” për ish-nënkryetaren e Bashkisë Fier, Adela Hysenaj, dhe për Vasil Çekun, drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor pranë Tatimeve.
Ndërkohë, Anisa Cjapi, drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashki, dhe Martin Dodi, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, u pezulluan nga detyra dhe ndaj tyre u caktua masa “detyrim paraqitjeje”.
Gjykata vendosi gjithashtu të revokojë masën “ndalim për të dalë jashtë shtetit” për Martin Dodin, ndërsa Vasil Çekut iu hoq pezullimi nga detyra, por ai mbetet në “arrest shtëpie”.
Vendimi është dhënë më 26 korrik 2025 dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditësh. Të katër zyrtarët janë nën hetim për shkelje të detyrës në ushtrimin e funksioneve publike dhe ndërhyrje të paligjshme në proceset vendimmarrëse.