Një skemë e re mashtruese po përhapet me shpejtësi në Shqipëri përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit. Qytetarët po marrin mesazhe që duket sikur vijnë nga banka apo institucione zyrtare, ku kërkohet “përditësim i të dhënave” përmes një linku.
Por realiteti është ndryshe: pas klikimit, qytetarët drejtohen te faqe të rreme ku, nëse fusin të dhënat e tyre bankare, autorët arrijnë të marrin akses dhe të vjedhin llogaritë e tyre.
Policia e Shtetit ka dalë me një paralajmërim të prerë:
Asnjë bankë nuk kërkon PIN, numër karte apo fjalëkalime përmes SMS apo linkesh të dyshimta.
Apeli për qytetarët:
• Mos klikoni në linke që vijnë nga burime të panjohura.
• Mos jepni kurrë të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve online.
• Verifikoni çdo kërkesë direkt me bankën ose institucionin që pretendohet në mesazh.
• Raportoni menjëherë çdo rast të dyshuar pranë Policisë së Shtetit.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik është angazhuar për zbardhjen e rasteve dhe bashkëpunon ngushtësisht me bankat dhe partnerët ndërkombëtarë për identifikimin e autorëve.
Këshilla thelbësore:
Mos e ndani sigurinë tuaj digjitale me askënd. Në internet, kujdesi është mbrojtja më e mirë.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit informon opinionin publik lidhur me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.
Shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.
Policia e Shtetit thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.
Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve:
Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura;
Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online;
Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore);
Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit vijon të ndjekë me prioritet këto raste dhe po bashkëpunon ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.
Respektoni sigurinë tuaj digjitale!
Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!