Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në lagjen “Gurra” të qytetit të Lezhës, ku një automjet tip “Golf” ka përplasur një shtetas që ndodhej në rolin e këmbësorit.
Sipas informacioneve paraprake, i dëmtuari sapo kishte dalë nga një market i zonës dhe po kalonte rrugën, kur është goditur nga automjeti. Dyshohet se drejtuesi i makinës nuk ka arritur ta vërejë në kohë, çka ka çuar në përplasjen.
I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmën mjekësore. Ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.