Detaje të reja kanë dalë nga konflikti i dhunshëm që u regjistrua mesditën e sotme në plazhin e Ksamilit, ku një sherr mes dy biznesmenëve degjeneroi në dhunë fizike në sy të pushuesve dhe familjarëve.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se ngjarja ka ndodhur në ambientet e “Euro Hotel Ksamil”, ku Albert Pashaj, pronari i hotelit, është sulmuar brutalisht nga Agim Taraj, pronari i “Sunset Restaurant Ksamil”. Përplasja ka ndodhur në sy të fëmijëve të Pashajt, duke e bërë situatën edhe më të rëndë.
Sipas burimeve, shkak i konfliktit është bërë mosmarrëveshja për pronësinë dhe menaxhimin e zonës së plazhit përpara hoteleve përkatëse. Tensionet mes tyre kanë qenë të njohura edhe më herët, por sot konflikti ka përfunduar me dhunë fizike.
Siç shihet edhe në një video të bërë publike, Pashaj është gjakosur në kokë, pas goditjeve të marra nga Taraj me grushte.
Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë pas ngjarjes duke arrestuar autorin e dhunës, Agim Taraj, i cili rezulton me precedent penal. Ndërkohë, po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Sot, rreth orës 12:45, në Ksamil, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është dhunuar me sende të forta shtetasi A. P. Menjëherë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë shoqërimi i shtetasit A.T, si dhe po punohet per identifikimin dhe shoqerimin e personave te tjere të dyshuar si persona të përfshirë në këtë konflikt.