Profesor Doktor Et’hem Ruka, duke folur në episodin e parë të edicionit të dytë të podcastit EduVision nga Universiteti Luarasi, në bashkëpunim me News24, tregoi se si nisi rrugëtimi i universiteteve private, kur “Luarasi” ishte më i vlerësuari që në fillim dhe po e mban me dinjitet renditjen.
Rektori i Universutetit Luarasi, Et’hem Ruka, theksoi gjithashtu se kush mendon se universitetet publike janë më të mira se ato private, e ka tërësisht gabim.
Sipas tij, e vërtetë, që u hapën shumë universitete në fillim, që u panë si mjete fitimi dhe nuk plotësonin standardet, por më pas u hapën universitete si “Luarasi”, ku cilësia është e vlerësuar ndërkombëtarisht tashmë.
Profesor Doktor Et’hem Ruka: “Unë kam patur fatin ta drejtoj arsimin në vitet e para të demokracisë atëherë kur nuk ekzistonte asnjë universitet privat. Ka qenë një dramë e tërë ku prindërit nuk arrinin të çonin në shkollë fëmijët e tyre.
Kam qenë shumë partizan për të futur ekonominë e tregut në arsimin e lartë dhe e pata këtë mundësi që të përgatisja gjithë bazën ligjore për arsimin e lartë dhe mezi prisja të vinte dallëndyshja e parë në Shqipëri. Kush mendon se universitetet publike janë më të mira se ato private, e ka tërësisht gabim.
E vërtetë, u hapën shumë universitete që u panë si mjete fitimi dhe nuk plotësonin standardet, ishte një deformim i llahtarshëm. Qeveria e Ramës ndërmori që në fillim një veprim shumë të mirë, duke mbyllur një dyzinë universitetesh që nuk plotësonin kushtet dhe pastaj kaloi në filtër të gjitha të tjerat. Universiteti Luarasi që në akreditimin e parë ishte ekselent në vend. Tani po e mban me dinjitet këtë vlerësim.”