Prokuroria e Romës ka kërkuar gjykim të menjëhershëm për 23-vjeçarin Mark Antony Samson, i cili ka pranuar fajësinë për vrasjen makabre të ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, e re shqiptare që u vra në muajin prill në lagjen “Africano” të kryeqytetit italian.
Ngjarja tronditëse ndodhi në një apartament në rrugën Homs, ku viktima u godit me tre thika në qafë dhe më pas trupi i saj u fsheh në një valixhe e u hodh në një greminë në zonën Capranica Prenestina.
Sipas hetimeve të kryesuara nga prokurori Giuseppe Cascini, Samson akuzohet për vrasje me paramendim, për motive të ulëta, për shkak të lidhjes afektive me viktimën, si dhe për fshehje kufome. Nën hetim është edhe nëna e tij, e dyshuar për ndihmë në fshehjen e trupit.
Provat tronditëse dhe sjellja pas krimit
Ndër provat kryesore që rëndojnë pozitën e të riut është një mesazh kërcënues i gjetur në telefonin e tij, ku ai i shkruante miqve:
“Ose kthehet me mua, ose do ta vras.”
Gjyqtarja hetuese Antonella Minunni, në vendimin për caktimin e masës së sigurisë, thekson se pas krimit Samson tregoi një “nivel të lartë vetëkontrolli dhe qartësi mendore”, duke vepruar me gjakftohtësi dhe pa ndjenja pendese.
Pas vrasjes, ai takoi një shoqe të Ilaria-s, hëngri me të dhe bisedoi për çështje të zakonshme, sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Madje ai dërgoi edhe mesazhe të rreme të afërmve të saj, duke i bërë të besonin se Ilaria ishte ende gjallë.
Familja kërkon drejtësi
Pas zhvillimeve të fundit, ka reaguar edhe familja e vajzës.
“Ata njerëz i kanë shkaktuar shumë dhimbje familjes sime. Shpresoj që drejtësia të vihet në vend,” – ka deklaruar babai i Ilaria-s, Flamur Sula, për agjencinë italiane ANSA.
“Ilaria kishte gjithë jetën përpara. Nuk është e drejtë që princesha ime të përfundojë në këtë mënyrë të tmerrshme. Kam besim në drejtësinë italiane,” – përfundoi ai.