Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, zhvilluan një takim simbolik në Durrës me patrullat e përbashkëta shqiptaro-italiane që janë vendosur në zonat turistike për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror.
I pranishëm ishte edhe eksperti i sigurisë pranë Ambasadës Italiane, Salvatore Gava, dhe drejtori vendor i Policisë, Vilson Bala. Gjatë fjalës përshëndetëse, Proda deklaroi:
“Siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë dhe, në këtë drejtim, prania juaj në terren është një mesazh i qartë: Shqipëria është e sigurt, mikpritëse dhe e hapur.”
Ai e cilësoi patrullimin e përbashkët si një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, ambasadori Alberti e cilësoi pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë takim si një “nder dhe privilegj”, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mes dy forcave të rendit:
“Ky bashkëpunim nuk është njëkahësh; gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti të pranishëm në Itali, pasi qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin e aftësive dhe eksperiencave profesionale mes dy policive.”
Në fund të vizitës, Proda garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përtej sezonit turistik, në funksion të përballimit të sfidave të përbashkëta për rendin dhe sigurinë.