Një dëshmi tronditëse është publikuar sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, ku një 24-vjeçare shtatzënë, në muajin e shtatë, ka rrëfyer mes lotësh jetën e saj të kalbur nga varfëria, braktisja dhe indiferenca e institucioneve.
E reja tregoi se ishte martuar në moshën 16-vjeçare për vetëm 70 mijë lekë të vjetra (7000 lekë të reja), ndërsa sot është e detyruar të lypë çdo ditë rrugëve të Tiranës, me vajzën e saj 4-vjeçare për dore.
“Dal çdo ditë dhe lyp me vajzën time sepse nuk kemi çfarë të hamë. Nuk kam mundësi as të blej rroba për foshnjën që pres,” – u shpreh ajo me zë të dridhur.
Situata rëndohet më tej nga fakti se bashkëshorti i saj ndodhet në burg, pasi ishte kapur duke vjedhur një monopatinë elektrike në përpjekje për të siguruar të ardhura për familjen.
“Nuk kërkoj luks. Dua vetëm një vend të sigurt për të lindur dhe një vakt të ngrohtë për vajzën time, që në vend të kopshtit endet në rrugë,” – tha 24-vjeçarja.
Pavarësisht se përmbush të gjitha kriteret për ndihmë sociale, ajo denoncoi se institucionet nuk janë kujdesur për të, ndërsa ndihma ekonomike që merr është e papërfillshme dhe nuk mjafton për asgjë.