Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona pasi u kapën në flagrancë duke kryer punime ndërtimi në një objekt pa leje në zonën e “Kodrës së Diellit”. Në pranga ranë inxhinieri që drejtonte punimet dhe një punëtor, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i ndërtesës.
Sipas uniformave blu, objekti po ndërtohej pa leje ndërtimi, pas një banese ekzistuese. Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe babai i pronarit, i cili ishte i pranishëm në vendin e punimeve.
Të ndaluarit dhe personat nën hetim:
• Noel Vata, 37 vjeç, inxhinieri që drejtonte ndërtimin (i arrestuar)
• Arion Dyli, 28 vjeç, punëtor ndërtimi (i arrestuar)
• S. I., 37 vjeç, pronari i objektit (shpallur në kërkim)
• B. I., babai i S. I., (proceduar penalisht në gjendje të lirë)
Policia thekson se do të vijojnë kontrollet për të identifikuar raste të tjera të ndërtimeve pa leje dhe të zënies së hapësirave publike në kundërshtim me ligjin. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës për veprime të mëtejshme.