Situata me zjarret mbetet e tensionuar. Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa katër prej tyre vijojnë të jenë aktive, kryesisht në qarqet Dibër, Fier dhe Vlorë.
Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi janë djegur, së bashku me më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.
Në terren janë angazhuar:
57 mjete zjarrfikëse
538 forca operacionale
2 helikopterë, që ndërhynë nga ajri ditën e djeshme
50 trupa të Forcave të Armatosura dhe 5 automjete zjarrfikëse janë vendosur në zonat kritike prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm.
Zonat më problematike:
Parku Kombëtar i Lurës (Dibër) – dy vatra ende aktive, një pranë Gurë Lurës dhe një tjetër pranë kanalit të HEC-it.
Mali i Dejës – flakët po përhapen drejt bashkisë Mat.
Bulqizë – në Malin e Peladhisë janë djegur rreth 32 hektarë; një tjetër vatër mbi fshatin Vlash po mbahet nën kontroll.
Fier dhe Mallakastër – zjarri në zonën Drenovë–Gorishovë rrezikon ullishtet në fshatin Gorishovë, për shkak të erës dhe terrenit të thyer.
Borsh, Himarë – flakët mbi një sipërfaqe pyjore nuk janë izoluar plotësisht, por puna vijon me mbështetjen e ushtrisë.
Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se nuk parashikohen reshje, ndërsa rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.
Thirrja e autoriteteve: qytetarët të shmangin çdo ndezje zjarri dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër pranë shërbimeve emergjente në numrin 112. Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë.