Ngjarja e rëndë me armë zjarri që tronditi pasditen e sotme Sarandën ka lënë të plagosur rëndë dy të rinj. Të shtënat u regjistruan rreth orës 15:00 në lagjen nr. 4, pranë stadiumit të qytetit.
Të plagosur kanë mbetur shtetasit Ernest Lama, 24 vjeç, dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç. Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, të dy janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, për shkak të gjendjes së rënduar.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Informacion paraprak
“Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt Spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar.”
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, po vijon punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani, nuk ka informacion për motivin e konfliktit apo persona të ndaluar.