Një “furtunë” dorëheqjesh ka përfshirë këtë të martë katër bashkitë e Qarkut Dibër – Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos – pas urdhrit të prerë të kryeministrit Edi Rama për largimin nga detyra të të gjithë administratorëve që kanë më shumë se 3 vite në post.
Në total, 35 administratorë të njësive administrative kanë dorëzuar dorëheqjet:
Dibër: 15 administratorë
Bulqizë: 8 administratorë
Mat: 8 administratorë
Klos: 4 administratorë
Një ditë më parë, kryebashkiakët zhvilluan takime me administratorët, ku u komunikuan qartë direktivat nga qeveria qendrore: dorëheqje për të shmangur shkarkimet formale dhe pasojat financiare që mund të pasojnë nga procese gjyqësore të mundshme.
Edhe zv.kryetarët janë larguar:
Dibër: 2 dorëheqje
Bulqizë: 2 dorëheqje
Mat: 1 dorëheqje
Klos: 1 dorëheqje
Dorëheqjet janë pjesë e një ristrukturimi të thellë të administratës vendore, të nisur pas deklaratave të Ramës, i cili kërkoi “rifreskim të plotë të strukturave drejtuese në bashki”, duke premtuar përzgjedhje të reja “mbi bazë performance dhe jo miqësish politike”.
Drejtuesit e drejtorive në këto bashki pritet të ndjekin të njëjtin fat, ndërsa procesi i “pastrimit” po shtrihet me ritme të shpejta në gjithë vendin.