Skerdi Tasi, një nga të penduarit e drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka zbuluar detaje tronditëse nga tentativa për ekzekutimin e Aredin Beharit, ngjarje e ndodhur në Fier.
Në dëshminë e tij para gjykatës, Tasi tregon se atentati ishte porositur nga Renato Çami, përmes Henrik Hoxhajt – personi me të cilin kishte bashkëpunuar më herët edhe për një tjetër atentat të dështuar. “Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami. Ai fliste me të përmes një Blackberry. Kishte kontakte edhe me nipin e Renatos,” deklaroi Tasi.
Sipas dëshmisë, objektivi ndodhej në një lokal të vogël pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier. “Kur pashë që ishte brenda me 3-4 vetë, qëllova nga jashtë lokalit, 5 ose 6 herë. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita,” rrëfeu i penduari.
Pas atentatit, Tasi u takua me Henrikun rreth 100 metra larg vendngjarjes dhe më pas, së bashku, u larguan drejt lokalit të këtij të fundit. “Kaluan nga Gjanica dhe aty hodha armën në lumë,” tha ai.
Disa ditë më vonë, mes tij dhe Henrikut ka pasur një debat. “Henriku më tha: ‘Pse e more përsipër kur nuk e bëre dot?’ Më pas shtoi se shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte dhënë emra. Njëri prej tyre ishte vetë porositësi. Henriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici dhe se emri i porositësit ishte futur në dosje,” dëshmoi Tasi.
Ai nënvizoi gjithashtu se nuk kishte marrë asnjë pagesë për këtë atentat, me arsyetimin se “nuk u realizua dot puna”.