Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit po shkon drejt fundit.
Burime për News 24 bëjnë me dije se kanë mbetur vetëm dy objekte, për të cilat Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka lënë një afat përfundimtar deri në orën 18:00 të ditës së sotme që të çmontohen vullnetarisht nga vetë pronarët.
Në të kundërt, ndërhyrja do të kryhet forcërisht nga strukturat shtetërore.
Ky operacion, i cili ka zgjatur rreth një javë, ka sjellë shembjen e afro 70 ndërtimeve të paligjshme, duke synuar pastrimin e territorit të parkut kombëtar nga ndërhyrjet abuzive.
Pas përfundimit të aksionit të sotëm, pritet që strukturat e IKMT dhe Policia e Shtetit të tërhiqen nga territori i Thethit, duke i dhënë fund një prej ndërhyrjeve më të diskutueshme të kohëve të fundit në zonat turistike të mbrojtura.