Në seancën gjyqësore të zhvilluar në Apelin e GJKKO-së për çështjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, ka pasur qëndrime të ndryshme mes dy prokurorëve të SPAK për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden Resort”, ku u pa për herë të fundit trupi i viktimës.
Behar Dibra ka kërkuar dënimin me 20 vite burgim për Festim Bexhdilin, ndërsa prokurorja tjetër Elida Kackini i qëndron kërkesës për burg përjetë.
“Në respekt të koleges dhe duke qenë dakord për parashtrimet që bëri, kam një vlerësim ndryshe për elementët e fajësisë së të pandehurit. Fakti është që vepra penale ‘mbajtja peng e Jan Prengës’ është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli nga një i pandehur tjetër që është në një procedim tjetër.
Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve të tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks. Nuk ka asnjë provë që Festim Bexhdili njihte Aldo Majnishtën, Korado Geshtenjën, Dritan Rexhepin etj. Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirrnin Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër.
Në automjetin ku u fut trupi hipin Altin Hajri, Geraldo Martini, Aldo Majnishta e të tjerë, dhe më pas automjeti rikthehet sërish në kompleks pa trupin e Jan Prengës. Trupi tashmë ishte fshehur. Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbase nuk e di”, tha prokurori i SPAK, Behar Dibra.
Ndërsa prokurorja Kaçkini u shpreh në seancë se: “Ne vlerësojmë që vendimi i GJKKO, i dhënë për Festim Bexhdilin, duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhe prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi “Golden” ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre.
I pandehuri, ditën e ngjarjes, ka pasur një vendndodhje të ndryshme nga kompleksi deri të paktën në orën 10:57, ku ka hyrë në drejtim të Shijakut. Ai është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim të një garazhi, më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular. Ai shfaqet duke pritur në derën hyrëse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit.
Kjo mënyrë ndërveprimi tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre. Altin Hajri shfaqet në 11:27, ndërsa në 11:36 vjen mjeti i autorëve. Veprimet e kryera tregojnë bindshëm që Festim Bexhdili ka pasur dijeni për ngjarjen. Në tërësinë e provave, ne vlerësojmë se i pandehuri ka pasur rol aktiv në ngjarje, ndaj vendimi me burgim të përjetshëm është proporcional. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve, ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues.”.
Kopshtari u dënua me burgim përjetë, por dosja u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë.
Shpallja e vendimit për kopshtarin Festim Bexhdili do të jepet me datën 25 korrik.