Hetimet për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë pranë Liqenit të Shkopetit, po përqendrohen aktualisht në dy pista kryesore, të lidhura me të kaluarën e tij dhe aktivitetet e dyshuara kriminale.
Sipas burimeve për News24, një nga pistat lidhet me periudhën kur Dobra ka qëndruar në Gjermani, ku raportohet se ka pasur probleme me ligjin dhe madje ka kaluar një periudhë kohe në burg. Kjo e kaluar po shihet si element potencial që mund të ketë sjellë pasoja edhe pas rikthimit në Shqipëri.
Pista tjetër fokusohet në dyshimet për përfshirje të tij në trafikun e lëndëve narkotike, një aktivitet që, sipas hetuesve, mund të ketë prodhuar konflikte me grupe të strukturuara kriminale, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.
Grupi hetimor është duke analizuar kontaktet dhe lëvizjet e viktimës gjatë muajve të fundit, si dhe po verifikon nëse ka pasur përplasje apo borxhe të hapura me persona të lidhur me rrjetet e trafikut.
DINAMIKA E NGJARJES
I riu u gjet bashë me mjetin e tij në liqen, e cila është nxjerrë nga palombarët mesditën e djeshme (10 Korrik) teksa drejt vendngjarjes shkuan edhe ekspertë të kriminalistikës. Kujtojmë që trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet mëngjesin e së mërkurës (9 Korrik) pranë liqenit.
Në trupin e viktimës u vunë re plagë në trup dhe shenja të nxira në qafë. Nga ekspertiza rezultoi se Renis Dobra ishte mbytur dhe më pas ishte hedhur drejt liqenit së bashku me makinën.
Ndërkohë plagët e gjetura në trupin e viktimës, sipas ekspertizës, janë shkaktuar gjatë rënies së automjetit në humnerë. Burime bëjnë me dije se ekspertiza mjeko-ligjore po kryhet nga një grup prej tre mjekësh, të cilët janë angazhuar për të përcaktuar me saktësi rrethanat e vdekjes.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe motivin e krimit. Mister mbetet telefoni i viktimës. Nuk dihet nëse është marrë nga autorët apo ndodhet në brendësi të automjeti.