EMISIONI VETTING
Nga fundi i vitit 2018 do të plaste skandali me tenderin e Unazës së Madhe, tender i cili i kushtoi disa drejtorë qeverisë shqiptare duke “sakrifikuar” edhe ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
Do të ishte pikërisht ky skandal që do të largonte nga detyra Gjiknurin për t’u zëvendësuar në 17 janar 2019 nga ish-vartësja e tij, drejtoresha e AlbControlit Belinda Balluku. Pikërisht nga viti 2018 deri në vitin 2019, kompania “Alko Impex Construction” do të shumëfishonte të ardhurat nga 28 milionë lekë në 354 milionë lekë, ose gati 3.6 milionë euro të ardhura në vit nëpërmjet fondeve publike.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve inxhinierit Romeo Nazarko, në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar kemi raste të korrupsionit me tenderat e rrugëve. “Kemi rastin e Unazës së Tiranës me kompaninë amerikane, të cilët ne (Shoqata e Gjeodetëve) e kemi denoncuar”, tha për “Vetting” inxhinieri Nazarko. Ngritja në detyrë e Ballukut nga Drejtoreshë e AlbControl, në ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë do të shoqërohej paralelisht me zhvillimin ekonomik të “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”.
Mallkimi i tenderave të Unazës së Tiranës me fondet e ARRSH-së nuk do të mbyllej me kaq, pasi ashtu si paraardhësi i saj Gjiknuri, edhe Balluku do të ishte pjesë e një skandali për paracaktimin e fituesve me institucionet në varësi të saj. “Vetting” ka zbuluar afera të tjera që lidhen me tenderin e mirëmbajtjes dhe tenderin e Unazës së Jashtme të Tiranës. Më 11 prill 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të hapte garën për Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Verior dhe Qendror me fond limit 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë euro.
Ky tender do të njollosej nga gara pa garë, pasi në 6 Qershor 2022 dy kompanitë “Alko” që administrohen nga Arbër Abazi do të fitonin tenderin pa patur asnjë konkurrent, duke u shënuar me flamur të kuq. Sipas platformës “Openprocurement.al” të AIS-it, kjo procedurë paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Nga verifikimi i kushteve për të fituar tenderin, “Vetting” ka zbuluar se dy kompanitë nuk plotësojnë kushtin 2.2.1, të cilat lidhen me kapacitetet ekonomike dhe financiare të kompanive që marrin pjesë në garë.
Sipas pikës 2.2.1, “për të provuar kapacitetet financiare dhe ekonomike, Operatorët ekonomikë duhet të paraqesin vërtetim nga administrata tatimore, për xhiron vjetore për vitet financiare 2018, 2019, 2020, ku vlera e xhiros për të paktën një nga vitet e periudhës së kërkuar duhet të jetë jo më e vogël se vlera e parashikuar e kontratës që prokurohet”.
Në rastin konkret, duke bashkuar të dyja xhirot e kompanive, në qoftë se përllogarisim xhirot maksimale për këto vite, zbulojmë se në asnjë moment ato nuk arrijnë xhiron vjetore totale 1.4 miliardë lekë, e cila është edhe vlera e fondit limit.
Në vend që t’i skualifikonte kompanitë dhe të anullonte tenderin, ish-Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi ka bërë të kundërtën duke shpallur fituese kompanitë në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike.
Sipas avokatit Llangozi, shqetësimi i ngritur nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani për mungesën e kallëzimeve nga institucionet shtetërore është një problem që nuk ka marrë zgjidhje.
“Rastet e shkeljes së procedurave të tenderave janë të shumta, por institucionet nuk denoncojnë, gjë e cila është evidentuar edhe nga drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani”, deklaroi avokati Llangozi.
Verdho dhe Berberi favorizuan duopolin e tenderave në ARRSH
Në maj 2018, kompania “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2 T” sh.p.k do të themelonin kompaninë koncesionare “ECO CLEANING”, e cila do të ndryshonte dhe pozitat e këtyre kompanive në tregun shqiptar, të cilat më së shumti veprojnë në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe mbetjeve. Në këtë rast “2T” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” zotërojnë një kompani koncesionare, e cila ka lidhur kontratë pastrimi me Bashkinë Kamëz. Ky bashkim operatorësh do të ndryshonte edhe kushtet e garës për këto kompani, pasi të dyja do të garonin për tenderat e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nga kërkimi i “Vetting” rezulton se këto kompani do të garonin disa herë në të njëjtin tender, duke shkelur vetë kushtet e pranimit.
“Vetting” ka zbuluar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave te Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka evidentuar lidhjen midis dy kompanive, të cilat janë në shkelje të ligjit. Edhe pse kanë shkelur disa herë kushtet e dokumenteve standarde, edhe pse janë shpallur fituese nga institucioni që varet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përsëri ky fakt nuk është bërë evident, as nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që duhet t’i kishte skualifikuar, as nga Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas Ligjit nr. 9121 dt 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, neni 10, përqendrime të ndërmarrjeve kemi në rastet kur shkaktohet një ndryshim i qëndrueshëm i kontrollit si rrjedhojë e bashkimit të dy ose më shumë ndërmarrjeve ose pjesë ndërmarrjesh të pavarura nga njëra–tjetra.
Në këtë rast, sipas nenit 12, të po këtij ligji, njoftimi duhet të bëhet kur xhiroja vjetore në tregun e brendshëm e bashkimit të këtyre dy kompanive arrin më shumë se 400 milionë lekë ose njëra prej këtyre kompanive duhet ta ketë xhiron në tregun e brendshëm mbi 200 milionë lekë.
Të dyja kompanitë kanë xhiro vjetore më të lartë se 400 milionë lekë dhe për të verifikuar rastin, “Vetting” kontaktoi Autoritetin e Konkurrencës nëse këto kompani kishin bërë njoftimin, që e kanë detyrim ligjor për krijimin e një kompanie të re si bashkim ndërmarrjesh.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Sekretari i Përgjithshëm, Endri Çekani deklaroi se rasti do të merrej në shqyrtim, duke sqaruar se do të ketë masa në rast të mungesës së njoftimit.
Për “Vetting”, Autoriteti i Konkurrencës konfirmoi se të dyja kompanitë nuk kishin bërë njoftimin, pra ishin në shkelje, por duke qenë se kanë kaluar më shumë se 5 vite nga këto raste, sipas nenit 78, pika 2, vendosja e gjobave u nënshtrohet afateve të parashkrimit sipas rastit në nenin 74 të ligjit të Konkurrencës. Pra, gjoba u falet kompanive sepse rasti është evidentuar shumë vonë, edhe pse në këtë rast miliona euro janë fituar duke dëmtuar konkurrencën.
Por ka një problem, kontratat publike janë firmosur në vitin 2020 dhe 2021 dhe për këtë duhet të reagojë jo vetëm Autoriteti i Konkurrencës, por edhe Agjencia e Prokurimeve Publike pasi kemi hapur një shkelje që nuk mund të amnistohet.
Në të paktën 4 raste, “Vetting” ka konstatuar se bashkimi i kompanive “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” kanë garuar, në të njëjtat tendera me kompaninë “2 T” sh.p.k, kompani me të cilën Arbër Abazi rezulton i lidhur nëpërmjet kompanisë “ECO-CLEANING”.
Rasti i parë lidhet me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen me performancë e rrugëve të Rajoni Qendror, Loti 6 me fond limit 302 milionë lekë me afat 48 muaj. Gara për tenderin u shpall në korrik 2020, ku të vetmit që garonin për fondet publike ishte konsorciumi i “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” kundra kompanisë “2 T” sh.p.k.
Më 12 tetor 2020, Ergys Verdho do të shpallte fitues të kontratës me ofertë 301 milionë lekë osë 3 milionë euro bashkimin e kompanive, që menaxhohen nga Arbër Abazi. Në vend të dytë, do të renditej “2 T” sh.p.k, me ofertë 400 mijë lekë më pak se bashkimi i operatorëve ALKO.
Dyshimet janë të forta për tender të paracaktuar pasi ofertat nga të dyja kompanitë garuese janë 99.9 % e fondit limit dhe në këtë rast, Ergys Verdho duhet të kishte anuluar tenderin.
Sipas ligjit të Prokurimit Publik, neni 2 citon se gara ka si synim të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe të nxisë konkurrencën, e cila nuk është arritur te tenderi i mirëmbajtjes.
Madje, ky ligj ka të parashikuar edhe masat e përgjithshme për parandalimin e korrupsionit, ku sipas nenit 18, shkruhet qartë se “Operatorët ekonomikë me veprimet e tyre nuk duhet të shkelin parimet e konkurrencës, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.”
Rasti i dytë lidhet me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Qëndror – Loti 4 me fond limit 263 milionë lekë me afat 48 muaj. Edhe në këtë tender, në shkurt 2021, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallte fitues bashkimin e kompanive “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “Alko-Impex General Construction” me ofertë fituese 223 milionë lekë.
Përsëri në të njëjtën garë, ku ishin binjakët ALKO do të merrte pjesë kompania “2 T” shpk, por kësaj radhe do të kishte edhe konkurrentë të tjerë si kompanitë “I.D.K Konstruksion & 4A-M” dhe “VICTORIA INVEST”. Kjo e fundit do të skualifikohej nga gara pasi do të bënte ankesë për vendimin e grupit që organizonte tenderin nën drejtimin e Ergys Verdhos.
Më 14 dhjetor 2021, “Victoria Invest” do të paraqiste ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik, institucion që drejtohej nga Jonaid Myzyri. Në ankesë, kjo kompani kundërshtonte vlerësimin me pikë nga ARRSH-ja, si dhe kërkonte skualifikimin e të dyja kompanive, konsorciumit të ALKO-ve dhe kompanisë “2 T”, të cilat rezultojnë si bashkëpronare të kompanisë “ECO-CLEANING”.
Në fakt “Victoria Invest” sh.p.k ka ofertë më të volitshme se të dyja kompanitë, por sipas ARRSH-së është skualifikuar sepse nuk ka marrë shumë pikë te kriteret e tjera, si eksperienca dhe makineritë. Përpara se të bënte ankesë te KPP-ja, kompania ka bërë ankesë te Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku sipas “Victoria Invest”, ARRSH-ja nuk i kishte shpjeguar arsyet se pse kompania me ofertën më të mirë ishte në fund të renditjes me pikë. Madje, theksohet se është vendosur një kriter për pikët midis kompanive konkurruese, i cili është në kundërshtim me vet kushtet e tenderit (DST).
Por ajo që bie në sy është standardi i dyfishtë i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku nga institucioni publik kërkohet që makineritë, të cilat do të përdorin kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve të mos jenë në përdorim në kontratat e tjera. Në këtë rast, “Victoria Invest” sjell si shembull vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik në shtator 2020, për tenderin “kryerja e sherbimit te pastrimit ne qytetin e Elbasanit”, ku ankues ishte “ALKO-IMPEX General Construction”. KPP-ja e ka pranuar ankesën dhe e ka gjykuar këtë kusht në kundërshtim me ligjin për Prokurimet Publike. Edhe pse ka bërë ankesë të gjatë dhe të argumentuar, Komisioni i Prokurimit Publik ka refuzuar ankesën e “Victoria Invest”, duke e skualifikuar plotësisht nga gara.
Kjo nuk është hera e parë, që Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Komisioni i Prokurimeve Publike koordinohen në sinkron me njëra-tjetrën për fituesit e tenderave, edhe kur këta të fundit nuk plotësojnë të gjitha kushtet e vendosura te Dokumentat Standardte. Është e qartë se ekziston një autoritet mbi të tjerët, që favorizon këtë kompani dhe kjo sjell dyshimet drejt njerëzve, që lidhen me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Përpara se të kalonte si drejtues i Agjencisë së Prokurimeve Publike, Myzyri ka qënë pjesë e Komisionit të Prokurimeve Publike te njësia e Ministrisë së Infrastrukturës, nën drejtimin e zv. kryeministres Balluku.