Kryeministri Edi Rama ka tërhequr sërish vëmendjen me një gjest jo të zakontë, por tashmë të përsëritur, gjatë Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës të mbajtur në Romë.
Në momentin e përshëndetjes me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Rama është gjunjëzuar përpara saj – një veprim që është kapur nga kamerat dhe është komentuar gjerësisht nga mediat italiane dhe ndërkombëtare.
“Rama e ka përshëndetur Kryeministren italiane, Giorgia Meloni, duke u gjunjëzuar përpara saj, një veprim që ka tërhequr vëmendje për mënyrën e tij të nderimit,” raportojnë disa prej mediave në Itali.
Ky veprim është interpretuar si një shenjë respekti dhe mirënjohjeje nga një pjesë e opinionit, por nuk kanë munguar kritikat. Disa komentues e kanë cilësuar gjunjëzimin si të tepruar dhe të papërshtatshëm për një forum diplomatik ku liderët botërorë ndjekin protokolle më të rezervuara.
Meloni vetë ka reaguar me një buzëqeshje të shkurtër, pa ndonjë koment publik. Ndërkohë, gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, ajo përshëndeti edhe liderë të tjerë evropianë, përfshirë Ursula von der Leyen, Antonio Costën, Pedro Sanchezin, Friedrich Merz dhe Petr Pavel.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Rama përkulet para Melonit. Një gjest i ngjashëm ndodhi edhe gjatë vizitës së saj në Tiranë pak muaj më parë, gjatë Samitit Politik Evropian. Gjestet e tilla vijojnë të ndajnë opinionin publik mes atyre që i shohin si simbolike respekti dhe të tjerëve që i konsiderojnë si teprime në skenën ndërkombëtare.