Gjykata e Posaçme ka vendosur heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e zëvendësuar atë me garanci pasurore.
Malltezi është marrë i pandehur në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Partizani”, dhe u arrestua fillimisht më 22 tetor 2023 me kërkesë të SPAK. Më pas, Apeli i GJKKO vendosi më 21 nëntor 2023 që ai të mbahej në arrest shtëpie.
Pas vendimit të fundit, Malltezi deklaroi për mediat se:
“U hoq masa e arrestit me garanci pasurore. Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, një urdhër politik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, por me një sistem që sulmon armiqtë e PS-së.”
Ndërkohë, pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor i çështjes, ku përballë drejtësisë do të jenë Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehur të tjerë.
Çështja do të gjykohet nga magjistratja Elsa Ulliri, e cila kishte kërkuar dorëheqjen nga rasti për shkak të lidhjeve familjare me ish-deputeten demokrate Andia Ulliri, por kërkesa e saj u rrëzua.
Të pandehurit në dosjen “Partizani” dhe akuzat:
- Sali Berisha – Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, kryer në bashkëpunim
- Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv dhe pastrim parash, kryer në bashkëpunim
- Fatmir Bektashi (biznesmen) – Korrupsion aktiv dhe pastrim parash
- Xhimi Begeja (bashkëpronar i “Homeplan”) – Pastrim parash
- Andia Pustina (financiere) – Pastrim parash