Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Identiteti”, duke goditur një rast të falsifikimit të dokumenteve me qëllim ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit.
Si rezultat i hetimeve 7-mujore, të ndjekura me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, u vunë në pranga dy shtetas, babë e bir:
– Ylli Brahimaj, 65 vjeç – aktualisht nën masën “arrest në shtëpi” të dhënë nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari;
– Pjerin Brahimaj, 45 vjeç.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rrjet.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia zbuloi një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin e dokumenteve dhe pasaportave të falsifikuara. Janë sekuestruar materiale të shumta të dyshuara si të falsifikuara dhe pajisje që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Sipas hetimeve, çmimi për një pasaportë të falsifikuar me shtetësi të huaj varionte nga 15.000 deri në 20.000 euro. Dokumentet përdoreshin për kalime të paligjshme drejt vendeve të BE-së dhe SHBA-së.
Policia është në ndjekje të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet dhe hetimet janë në vijim.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.