Situatë kaotike është krijuar në pikën kufitare të Qafë-Botës, ku qytetarët që hyjnë nga Greqia në Shqipëri po përballen me radhë kilometrike dhe pritje deri në tre orë, për shkak të ngadalësimit të punës në anën greke të kufirit.
Shkak për këtë kaos është bërë arrestimi i 14 doganierëve grekë, të dyshuar për përfshirje në një skemë kontrabande mallrash dhe korrupsioni, çka ka lënë pikën doganore me staf të reduktuar dhe me vetëm dy sportele në funksion.
Aktualisht, pala greke po operon me vetëm tre punonjës, duke shkaktuar vonesa masive në përpunimin e dokumentacionit dhe kalimin e mjeteve. Situata ka agravuar sidomos në orët e mesditës, kur fluksi i hyrjeve nga emigrantë dhe turistë është më i lartë.
Në anën shqiptare, puna vijon normalisht me tre sportele aktive, por bllokimi në kufirin grek po sjell vonesa të mëdha edhe në territorin shqiptar, ku mjetet që presin për të kaluar numërohen në qindra.
Autoritetet shqiptare po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes kësaj pike kufitare këshillohen të përgatiten për vonesa të gjata dhe të marrin masa paraprake për udhëtimin.