Policia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kalibri”, duke goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen.
Në pranga kanë rënë dy shtetas nga Prizreni, Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në zonën e njohur si “Ura e Hasit”, ndërsa po transportonin 8 armë zjarri pistoleta në një automjet që drejtohej nga A. M.
Hetimet paraprake tregojnë se armët ishin futur në territorin shqiptar përmes kufirit jeshil dhe kishin si destinacion përfundimtar shitjen tek dy persona të tjerë, të cilët u larguan menjëherë sapo vunë re shërbimet e policisë.
Për shkak të fazës së hetimit, identitetet e blerësve të mundshëm nuk bëhen publike, ndërsa vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrjetit të trafikimit dhe përfshirjes së personave të tjerë.
Njoftimi i policisë
Kukës/Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Sekuestrohen 8 armë zjarri pistoleta. Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë që i kishin trafikuar armët nëpërmjet kufirit jeshil me Kosovën, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në trafikimin e armëve dhe të shtetasve që do të blinin armët, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për shkak të hetimit.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren.
Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarrri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar.
Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.