Kreu i Agjencisë së Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku do të njihet me masën e sigurisë pas ngritjes së akuzës ndaj tij nga SPAK.
Myzyri është marrë zyrtarisht i pandehur dhe është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për shkelje të rënda në procedurat e prokurimeve publike.
SPAK e akuzon atë për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Sipas organit të akuzës, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar një bashkim operatorësh gjatë një tenderi publik, duke pranuar dokumentacion të falsifikuar.
Objekt i këtij hetimi është një procedurë e zhvilluar më 18 shtator 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), me titull: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me një fond limit prej 219.8 milionë lekësh pa TVSH.
Hetimet janë në vijim, ndërsa GJKKO do të vendosë sot për masën që do të merret ndaj drejtorit të APP.