Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga ish-efektivi i forcave “Shqiponjat”, Nevaldo Hajdaraj, i dënuar për vrasjen e të riut Klodian Rasha në dhjetor të vitit 2020.
Me këtë vendim, mbetet në fuqi dënimi i dhënë më herët nga Gjykata e Apelit – 12 vite burg – një dënim i reduktuar nga 18 vite, për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.
Po ashtu, Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe rekursin e Prokurorisë së Apelit, e cila kërkonte dënimin maksimal prej 20 vitesh burg, në bazë të nenit 76 të Kodit Penal, si dhe mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar nga ana e Hajdarajt.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020, gjatë zbatimit të masave kufizuese për shkak të pandemisë Covid-19. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë dëshmonin se efektivi Hajdaraj qëlloi me armën e shërbimit drejt Klodian Rashës, i cili nuk kishte armë dhe po largohej pa iu bindur urdhrit për të ndaluar.
Kujtojmë se vrasja e Klodian Rashës shkaktoi reagim të gjerë shoqëror dhe politik, duke çuar në protesta masive dhe më pas në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të kohës, Sandër Lleshaj.